Çregjistrimi i një biznesi të regjistruar

Referenca ligjore:
- Ligji Nr. 9723, datë: 03.05.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, i ndryshuar
- Ligji Nr. 9901, datë: 14.04.2008, “Për Tregtarët dhe Shoqëtritë Tregtare”, i ndryshuar
- Ligji Nr. 9920, datë: 19.05.2008, "Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar
- Ligji Nr. 129/2014, Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin NR. 9901, datë 14.04.2008, "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare", i ndryshuar

Llojet e çregjistrimit  

  1. Çregjistrimi vullnetar .

A1. Për personat fizikë, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim. Ky aplikim mund të bëhet së bashku me njoftimin e pushimit të aktivitetit ekonomik ose në një moment të dytë. 

A2. Për personat juridikë, për degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim dhe depozitimit të akteve përkatëse, që vërtetojnë kryerjen dhe mbylljen e procedurave të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Çregjistrimi vullnetar për personat juridikë Neni 190 - 203 i ligjit nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”) kalon në dy faza:
Pasi është regjistruar fillimi i procedurave të likuidimit, përpara se të kryejë çregjistrimin e subjektit, në përputhje me ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008, "Procedurat Tatimore në Republiken e Shqipërise”, i ndryshuar, neni 45, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi), detyrohet të njoftoje organet tatimore dhe të presë brenda afatit ligjor 30 dite kalendarike, konfirmimin ne lidhje me situaten tatimore të subjektit (ka apo jo detyrime).

Fillimi i procedurave të likuidimit (likuidim në gjëndjen e aftësise paguese), kryhet në dy forma:
-    - Likuidim i zakonshëm. Nis me prishjen e shoqerisë për pasoja të ndryshme dhe me emërimin e likuiduesit.
-    - Likuidim i thjeshtëzuar. Mbështetur në nenin 240 të ligjit nr. 9901/2008, shoqërite tregtare, mund të likuidohen nëpërmjet një procedure të përshpejtuar, nëse kjo vendoset nga të gjithë ortakët apo aksionarët dhe kur këta deklarojnë përpara gjykatës përkatese se të gjitha detyrimet e shoqerisë ndaj kreditorëve janë shlyer e janë rregulluar të gjitha marrëdhëniet me punëmarrësit. Në rastin e likuidimit te thjeshtëzuar, duhet të paraqitet në QKB Vendimi i gjykatës për likuidimin e shoqërisë, nëpërmjet procedurës së thjeshtëzuar.

Fillimi i procedurës së likuidimit/emërimi i likuidatorit/ FAZA E PARË

Dokumentacioni shoqërues:

- Dokumenti i identifikimit të përfaqësuesit ligjor/likuiduesit (nëse ai është aplikanti).
- Nëse aplikanti është i ndryshëm nga përfaqësuesi ligjor/likuiduesi, duhet të depozitohet Akti i Përfaqësimit.
- Vendimi i Asamblesë së përgjithshme të shoqërisë për fillimin e procedurës së likuidimit ose Vendimi i gjykatës për caktimin e likuiduesit sipas nenit 191/2 të ligjit 9901 datë 14.04.2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”.
- Të dhënat e likuiduesve të parë dhe tagrat e tyre, për të përfaqësuar shoqërinë.
- Likuiduesit depozitojnë nënshkrimin e tyre (neni 194 i ligjit nr.9901/2008).
- Likuiduesit i njoftojnë, gjithashtu, Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për regjistrim çdo ndryshim për identitetin dhe tagrat e tyre të përfaqësimit.

Me hapjen e procedurave të likuidimit, emri i regjistruar i shoqërisë ndiqet nga shënimi “Në likuidim”. Likuiduesit duhet të ftojnë 2 herë kreditorët e shoqërisë për të depozituar pretendimet e tyre për prishjen e saj. Ftesat drejtuar kreditoreve, duhet të publikohen në faqen zyrtare të QKB (neni 195 i ligjit nr. 9901/2008).

Çregjistrim i personit juridik/ FAZA E DYTË (Çregjistrimi i personit juridik nuk mund të bëhet përpara përfundimit të afatit për depozitimit e pretendimeve të kreditoreve (ligji 9901/2008, i ndryshuar, neni 199 pika 1).

Dokumentacioni shoqërues:

- Dokumenti i identifikimit të likuiduesit (nëse ai është aplikanti).
- Nëse aplikanti është i ndryshëm nga likuiduesi, duhet të depozitohet Akti i Përfaqësimit.
- Bilanci i gjendjes së shoqërisë në çastin e hapjes së likuidimit dhe bilanci përfundimtar në çastin e mbylljes së këtyre procedurave. (neni 198)
- Raporti i likuidatorit për procedurën e likuidimit.
- Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme për miratimin e raportit të likuidimit dhe lirimin e likuiduesve nga detyra.

Çregjistrimi në mënyrë vullnetare për degët dhe zyrat përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim dhe depozitimit të akteve përkatëse, që vërtetojnë kryerjen dhe mbylljen e procedurave të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Çregjistrimi nuk kryhet nëse aktet e ndërmjetme të procesit të likuidimit nuk janë njoftuar dhe depozituar pranë Regjistrit Tregtar.

  1. Çregjistrimi në rast vdekjeje .

Në rast vdekjeje të personit fizik, çregjistrimi mund të kryhet me kërkesë të çdo pale të interesuar dhe me depozitimin e dokumenteve përkatëse. Gjithashtu, çdo palë e interesuar mund të kërkojë çregjistrimin e personit fizik nga Regjistri Tregtar, duke depozituar vendimin e gjykatës me të cilin një person është shpallur i vdekur.

  1. Çregjistrimi me vendim të autoriteteve të tjera..

Çregjistrimi nga Regjistri Tregtar me vendim të autoriteteve të tjera kryhet mbi bazën e:

1. një vendimi gjyqësor të paankimueshëm;
2. një vendimi përfundimtar të një autoriteti tjetër publik kur parashikohet nga ligje të posaçme;
3. në rastet e pavlefshmërisë së personave juridikë, pas mbylljes së likuidimit në rrugë gjyqësore, të falimentimit apo në rastet e tjera të parashikuara nga ligji.

 Pasojat e çregjistrimit:

  1. Emri i subjektit tregtar do të konsiderohet i zënë, për një afat prej 6 muajsh nga data e çregjistrimit.
    2. Çregjistrimi i personave juridikë nga Regjistri Tregtar ka si pasojë humbjen e personalitetit juridik të subjekteve.
    3. Çregjistrimi nga Regjistri Tregtar i personave fizikë, i degëve dhe i zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja, dhe shoqërive të thjeshta ka efekt deklarativ.
    4. Subjektet e çregjistruara përgjigjen për detyrimet e mbetura ndaj të tretëve dhe ndaj autoriteteve publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.